Lëshimi i fletarrestimit ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 serbëve të tjerë për krime lufte është vlerësuar si një hap i rëndësishëm nga institucionet e drejtësisë së Kosovës dhe një lehtësim për familjarët e viktimave të krimeve të luftës. Sidoqoftë, avokati Xhevdet Smakiqi ka theksuar se ekstradimi i Radoiçiqit do të jetë i vështirë për shkak të mungesës së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për emisionin “Ditari” në Tëvë1, Smakiqi ka shpjeguar se, për momentin, Kosova nuk ka një marrëveshje me Serbinë për ekstradimin dhe ka theksuar se mbështetja e Radoiçiqit nga Presidenti serb, Aleksandar Vučić, mund të ndikojë në proces. Ai gjithashtu ka shtuar se Radoiçiqi ka “betonuar” hyrjen në Kosovë, dhe nëse ai tenton të hyjë, ai mund të arrestohet nga Policia e Kosovës.
Megjithatë, Smakiqi është optimist se nëse arrihet një marrëveshje për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nën presionin ndërkombëtar, Radoiçiq mund të dorëzohet autoriteteve të Kosovës. Ai gjithashtu ka theksuar se e mira e këtij fletarrestimi është ndalimi i hyrjes së Radoiçiqit në Kosovë, duke garantuar mundësinë e arrestimit nëse ai tenton ta bëjë këtë.
