Prishtinë, 13 korrik 2025 – Shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, është takuar me zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan, për të diskutuar krizën politike në vend.
Në një deklaratë pas takimit, Bajrami tha se e ka ndarë me përfaqësuesin amerikan shqetësimin e saj për, siç u shpreh, “krizën e thellë institucionale që po e paralizon vendin”.
“Shpreha qëndrimin e LDK-së se Kosova ka nevojë për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, kushtetuese dhe demokratike – jo për tentime të njëanshme nga një parti që nuk ka shumicë,” tha Bajrami.
Ajo bëri të ditur se LDK refuzon rrugët që mund të çojnë në qeverisje të papërgjegjshme dhe të dëmshme për raportet ndërkombëtare të Kosovës, duke theksuar përkushtimin e partisë ndaj stabilitetit dhe rendit demokratik.
Në takim, Bajrami ka prezantuar edhe propozimin e LDK-së për krijimin e një qeverie kalimtare, që do të menaxhonte vendin deri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2026, duke shërbyer si një zgjidhje për të tejkaluar bllokadën aktuale institucionale.
“LDK mbetet e përkushtuar ndaj rrugës euroatlantike dhe forcimit të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” përfundoi ajo.
Takimi me zyrtarin amerikan vjen në një moment të ndjeshëm për skenën politike në Kosovë, ku tensionet mes partive politike janë në rritje dhe vendi përballet me një mungesë konsensusi për rrugën e mëtejshme të qeverisjes.
