Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se partia e saj është e hapur për të marrë pjesë në një takim me të gjitha partitë parlamentare, nëse ftohen nga presidentja Vjosa Osmani, siç kërkoi Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Ajo theksoi se nuk mund të japë një përgjigje të saktë pa ditur qëllimin e këtij takimi.
“Jemi të hapur që të jemi prezentë në takime të tilla për të nxjerrë vendin nga ngërçi institucional. Varet se për çfarë ftohet dhe çfarë qëllimi do të ketë. Nuk mund të jap përgjigje në pyetje hipotetike,” tha Bajrami.
Ajo shtoi se propozimi për një takim të tillë është bërë nga LDK, me qëllimin për të kontribuar në zgjidhjen e ngërçit politik në vend. Po ashtu, Bajrami theksoi se ky takim mund të shërbejë për të hapur rrugën e dialogut dhe bashkëpunimit mes partive parlamentare për të nxjerrë vendin nga situata e krijuar.
Kujtojmë se PDK, pas mbledhjes së Kryesisë, ka kërkuar një takim me të gjitha partitë parlamentare, duke e ftuar presidenten Osmani që ta thërrasë një mbledhje për të diskutuar mbi hapat e nevojshëm për të zhbllokuar institucionet e Kosovës.
