Prishtinë – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka bërë të ditur se të mërkurën, më 16 korrik, në ora 11:30, do të dorëzojë vendimin e fundit të Gjykatës Supreme në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Kjo bëhet si pjesë e vazhdimit të procedurës ligjore në lidhje me 17 kallëzimet penale të ngritura nga kjo parti më 8 maj 2025.
Sipas njoftimit të LDK-së, ky hap përfaqëson një vazhdimësi të angazhimit të saj për të ndjekur deri në fund rrugën ligjore ndaj atyre që, sipas saj, kanë shkelur ligjin përmes pezullimit të pajisjeve fiskale.
Ky zhvillim pason vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila të martën shfuqizoi udhëzimin administrativ të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, më 15 prill 2025, për pezullimin 60-ditor të shitjeve dhe abonimeve të arkave fiskale. Gjykata e ka shpallur udhëzimin si të jashtëligjshëm, me arsyetimin se është miratuar nga një qeveri në detyrë dhe nga një ministër pa mandat të plotë.
Reagimi i Qeverisë në detyrë
Pas vendimit të Gjykatës Supreme, ka reaguar edhe Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, duke u shprehur e shqetësuar me vendimin e gjykatës. Në reagimin zyrtar, Qeveria theksoi se vendimi për pezullimin e arkave fiskale kishte për qëllim lehtësimin e biznesit dhe se vendimi gjyqësor ngre shqetësime serioze për funksionimin institucional në periudhë kalimtare.
LDK, nga ana tjetër, e sheh këtë vendim si konfirmim të qëndrimeve të saj për tejkalim të kompetencave dhe si bazë të mjaftueshme për ndjekje penale.
