LDK dorëzon kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së votimit të Komisionit për Votim të Fshehtë

Para 9 muaj

Prishtinë, 4 Korrik 2025 – Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, së bashku me deputetin Armend Zemaj dhe anëtarin e Kryesisë, Shkëmb Manaj, kanë dorëzuar sot një kërkesë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Kërkesa ka për qëllim vlerësimin e kushtetutshmërisë së votimit të Komisionit për Votim të Fshehtë, në kuadër të vazhdimit të seancës konstituive për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të LDK-së në rrjetet sociale, kjo nismë është ndërmarrë si përgjigje ndaj, siç thuhet, shkeljeve të njëpasnjëshme të Kushtetutës nga kryesuesi i seancës, edhe pas një aktgjykimi të mëhershëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me të njëjtën çështje.

“Lidhja Demokratike e Kosovës beson se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ka qartësuar se përgjegjësia për konstituimin e Kuvendit i takon grupit më të madh parlamentar dhe se votimi duhet të jetë në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe praktikat parlamentare. Rrjedhimisht, votimi për kryetarin e Kuvendit duhet të jetë i hapur”, thuhet në reagimin zyrtar të partisë.

LDK thekson se ndryshimi i rendit të ditës gjatë seancës është bërë në kundërshtim me marrëveshjen paraprake të dakorduar ndërmjet të gjitha partive parlamentare dhe kryetarit të legjislaturës së kaluar.

Partia opozitare shpreh bindjen se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe do të ndihmojë në zhbllokimin e situatës politike dhe institucionale në vend.

“LDK është e vendosur të përdorë të gjitha mjetet kushtetuese dhe ligjore për të garantuar funksionimin demokratik të shtetit dhe mbrojtjen e interesit qytetar”, thuhet më tej në deklaratë.

Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë këtë kërkesë në javët në vijim, me një vendim që mund të ketë ndikim të rëndësishëm në procesin e konstituimit të Kuvendit dhe funksionimin institucional të vendit.