Barcelona – Ylli i ri i futbollit spanjoll, Lamine Yamal, ka bërë dy kërkesa të rëndësishme pas rinovimit të kontratës me FC Barcelona, të cilat mund të mos mirëpriten nga bashkëlojtarët e tij në ekip.
Sipas burimeve nga mediat spanjolle, talenti 17-vjeçar, i cili tashmë është konsoliduar si një nga futbollistët më premtues në botë, ka kërkuar që të ketë të drejtën për të ekzekutuar penalltitë dhe goditjet e lira – një privilegj që zakonisht u takon lojtarëve më me përvojë në skuadër si Robert Lewandowski apo Raphinha.
Po ashtu, Yamal ka kërkuar që në kontratën e tij të përfshihet një bonus special në rast të fitimit të Topit të Artë (Ballon d’Or), duke sinjalizuar synimet e tij për të qenë jo vetëm një lider i ekipit, por edhe një pretendent serioz për çmimet më të larta individuale në futboll.
Ndërkohë, rinovimi i kontratës së tij me Barcelonën e mban lojtarin në “Camp Nou” deri në vitin 2031, me një klauzolë lirimi prej 1 miliardë eurosh – më e larta në historinë e klubit.
Burime brenda klubit theksojnë se drejtuesit e Barcelonës e konsiderojnë Yamal si “lojtarin-franchizë” të së ardhmes, ndërsa presidenti Joan Laporta po planifikon një aktivitet të madh publik për ditëlindjen e tij të 18-të.
Megjithatë, kërkesat e guximshme të Yamal mund të shkaktojnë pakënaqësi tek disa bashkëlojtarë, të cilët mund t’i shohin këto lëvizje si prishje të hierarkisë në ekip dhe favorizim të një lojtari që ende është në fillim të karrierës.
