Lakmia për lojërat e fatit dhe sfidimi i ligjit në shoqërinë kosovare

Para 10 muaj

Rasti i fundit ku Policia e Kosovës arrestoi një person për organizim të paligjshëm të lojërave të fatit në lokalin e tij, nuk është i izoluar. Përkundrazi, është simptomë e një fenomeni më të gjerë që ka përfshirë një pjesë të shoqërisë shqiptare , lakmia për fitim të shpejtë, qoftë edhe përmes rrugëve të paligjshme.

Pse kaq shumë shqiptarë joshen nga lojërat e fatit?

Në një shoqëri ku papunësia është e lartë, mundësitë e avancimit të ngadalta dhe perspektiva ekonomike shpesh e pasigurt, lojërat e fatit shihen si “shteg i shpejtë” për pasuri , një iluzion që ua errëson arsyen shumëkujt. Reklamat, rrëfimet për “fitore të mëdha” dhe rrjetet sociale vetëm sa e ushqejnë këtë etje për fitim të menjëhershëm.

Ligji është i qartë, por pse sfidohet?

Shumë individë e dinë që organizimi i lojërave të fatit është i ndaluar me ligj në Kosovë, por megjithatë e sfidojnë këtë ndalim. Kjo mund të lidhet me mungesën e frikës nga ndëshkimi real, korrupsionin e mundshëm në sistem, por edhe me bindjen se përfitimi material ia vlen më shumë sesa liria apo morali.

Shndërrimi i lirisë në luks për ta përdorur si haraq

Në raste të tilla, liria shihet jo si përgjegjësi, por si mjet për të vepruar jashtë ligjit. E njëjta qasje vërehet edhe në fenomenet e tjera problematike si prostitucioni apo zhvatja (haraçi), ku vlerat morale dhe ligjore zëvendësohen nga etja për përfitim personal – qoftë për status, pushtet apo para.

Çfarë po ndodh me shoqërinë tonë?

Në thelb, kemi një krizë vlerash. Familja, shkolla, institucionet dhe media shpesh nuk arrijnë të formojnë një kulturë ku puna e ndershme, respekti për ligjin dhe vetëkontrolli të jenë normë. Në vend të kësaj, promovohen modelet e suksesit të shpejtë, shpesh me rrugë të dyshimta.

Si mund të ndryshojë kjo gjendje?

Luftimi i kësaj mentaliteti kërkon më shumë sesa ndëshkime. Kërkon edukim, qasje serioze ndaj zhvillimit ekonomik, rikthim të besimit në drejtësi dhe promovim të vlerave të shëndosha shoqërore. Përndryshe, çdo bast i vendosur ilegalisht është edhe një bast kundër së ardhmes sonë kolektive.

Eartë Ramiqi