Berlin – Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani ka njoftuar se Arta Hajzeraj, 13-vjeçarja që ishte raportuar e zhdukur, është kthyer sot në shtëpi shëndosh e mirë. Lajmi është konfirmuar nga babai i saj përmes një bisede telefonike me Ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.
Në një komunikatë zyrtare, Ambasada shprehu falënderime për solidaritetin dhe mbështetjen e treguar nga qytetarët gjatë kohës së kërkimeve.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë qytetarët që treguan solidaritet, gatishmëri dhe përkrahje gjatë kësaj periudhe”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Ambasada ka vlerësuar lartë angazhimin e autoriteteve gjermane, veçanërisht policisë në qytetin Zwickau, për profesionalizmin dhe bashkëpunimin gjatë procesit të kërkimit.
“Një falënderim i veçantë i drejtohet autoriteteve policore në Zwickau për angazhimin e tyre profesional dhe bashkëpunimin e ngushtë”, vijon njoftimi.
Në fund, Ambasada shprehu lehtësim dhe gëzim për përfundimin e suksesshëm të rastit dhe rikthimin e Artës pranë familjes.
“Gëzohemi që gjithçka përfundoi mirë dhe Arta është sërish pranë familjes së saj”, përfundon deklarata.
