Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish të konstituohet, pavarësisht përpjekjeve të Lëvizjes Vetëvendosje për të zgjedhur kryetarin e ri të legjislaturës së nëntë.
Fillimisht, LVV propozoi Albulena Haxhiun për postin e kryeparlamentares, por ajo nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme të votave nga deputetët e pranishëm. Pas këtij dështimi, partia në pushtet propozoi Donika Gërvallen si kandidate alternative për të njëjtin post – por edhe kjo përpjekje përfundoi pa sukses.
Për pasojë, seanca e Kuvendit u ndërpre dhe është caktuar të vazhdojë më 22 gusht, duke shtyrë edhe më tej procesin e konstituimit, në një klimë politike të tensionuar.
Reagime politike: Peci akuzon opozitën për bllokim të qëllimshëm
Deputeti i LVV-së, Faton Peci, reagoi ashpër pas zhvillimeve në Kuvend. Ai tha se kjo ditë nuk do të harrohet kurrë, për shkak të asaj që e quajti “bashkim të opozitës kundër emrit Gërvalla”.
“Dita e sotme do të mbetet në memorien time për gjithë jetën. Jo vetëm për dorën e ngritur kundër Albulena Haxhiut, por sepse pashë me sytë e mi, në sallën e Kuvendit, dorën e ngritur në kor nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, kundër që Donika Jusuf Gërvalla, mbesa e Nënës Ajshe, të jetë Kryetare e Kuvendit të Republikës,” deklaroi Peci, duke akuzuar partitë opozitare për bllokim të formimit të institucioneve dhe për, siç tha ai, qëndrim të qëllimshëm kundër një mbiemri simbolik për historinë e vendit.
Afati kushtetues ka nisur të rrjedhë
Dështimi i radhës vjen vetëm pak ditë pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, i cili obligon që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së rezultateve zgjedhore, përmes zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Sipas aktgjykimit, duhet të ketë votim të hapur, dhe për të njëjtin kandidat nuk mund të ketë më shumë se tri raunde votimi.
Me çdo ditë që kalon, rritet presioni për të gjitha partitë politike për të lëvizur nga pozicionet aktuale dhe për të mundësuar formimin e institucioneve të reja.
