Kuvendi nuk është konstituuar siç pretendoi Basha

Para 6 muaj

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë për çështjen e konstituimit të Kuvendit, duke rrëzuar pretendimin e kryeparlamentarit Dimal Basha se Kuvendi është funksionalizuar.

Në vendim theksohet se Kuvendi nuk është konstituuar, pasi në seancën e 30 gushtit nuk u zgjodh nënkryetari nga komuniteti serb, një hap i domosdoshëm sipas Kushtetutës për ta konsideruar seancën konstituive të përfunduar.

Gjykata thekson se mbyllja e seancës nga Basha ishte e parakohshme dhe se nuk mund të anashkalohet një element kushtetues i tillë. Ajo urdhëron që seanca konstituive të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, në përputhje me nenin 66 të Kushtetutës.

Po ashtu, deputetët janë të detyruar të marrin pjesë në seancë dhe të votojnë për nënkryetarin nga komuniteti serb, duke vepruar në interesin e Republikës dhe në frymën e bashkëpunimit kushtetues.

Gjykata ka vendosur që masa e përkohshme e ndalimit të veprimeve të mëtejshme parlamentare të mbetet në fuqi deri në përfundimin e plotë të seancës konstituive.