Kuvendi i Kosovës në ngërç: Gjykata Kushtetuese vendos masë të përkohshme deri më 30 shtator

Para 7 muaj

Kuvendi i Kosovës nuk do të mund të mblidhet të paktën deri në fund të këtij muaji, si pasojë e një mase të përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese. Masa vjen pas kërkesës së Listës Serbe, e cila pretendon se i takon pozita e nënkryetarit të Kuvendit për komunitetin serb.

Vendimi i Kushtetueses e lë pezull përfundimin e seancës konstituive dhe formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura në shkurt. Seanca kishte nisur më 15 prill, por është ndërprerë disa herë për shkak të kontesteve procedurale dhe politike, duke përfshirë edhe dy masa pezullimi të mëparshme.

Reagimi i Presidencës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet t’i dorëzojë komentet e saj në Gjykatën Kushtetuese gjatë ditës së martë. Përmes këshilltarit për media, Bekim Kupina, ajo përsëriti qëndrimin e saj kundër çdo përpjekjeje për bllokim të institucioneve.

“Qëndrimi i Presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin. Realizimi i të drejtave të komuniteteve është i pandashëm nga detyrimi për t’i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe për të mos i cenuar të drejtat e të tjerëve”, tha Kupina.

Ekspertët: Problemi është politik, jo ligjor

Sipas monitoruesve të punës së Kuvendit dhe njohësve të çështjeve kushtetuese, bllokada aktuale është rezultat i mungesës së vullnetit politik, jo i ndonjë vakumi ligjor apo kushtetues.

Melos Kolshi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) tha për A2 CNN se shkeljet procedurale lidhen vetëm me zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet pakicë, jo me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit apo nënkryetarëve shqiptarë.

“Problemi aktual nuk është kushtetues apo ligjor, por politik – dhe buron nga mungesa e vullnetit të subjekteve politike, sidomos e fituesit të zgjedhjeve, për të gjetur një zgjidhje ose kompromis”, u shpreh Kolshi.

Një krizë e zgjatur politike

Zvarritja e përfundimit të seancës konstituive ka ndikuar drejtpërdrejt në bllokimin e formimit të institucioneve të reja. Deri më tani, janë vendosur dy afate kohore për përfundimin e seancës, por asnjëri nuk është respektuar.

Gjykata Kushtetuese pritet të japë një vendim përfundimtar pas 30 shtatorit, ndërsa presioni për zhbllokimin e situatës politike pritet të rritet në javët në vijim.