Kuvendi i Kosovës mblidhet sot për herë të 54-të, përpjekje e re për konstituim pas aktgjykimit të Kushtetueses

Para 8 muaj

Pas tri javësh pa zhvillime, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në një përpjekje të re për ta konstituuar legjislaturën e nëntë, për herë të 54-të që nga zgjedhjet.

Gazetari i Klan Kosovës, Flamur Gajtani, raportoi nga Kuvendi se deputetët kanë nisur të mbërrijnë që nga ora 10:00, ndërsa si zakonisht janë mbledhur fillimisht në zyrat e grupeve parlamentare për konsultime.

Seanca pritet të nisë në orën 11:00, në një atmosferë të tensionuar politike që vjen pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, publikuar të hënën. Ky vendim sjell rregulla të reja për procesin e konstituimit të Kuvendit.

Sipas aktgjykimit:

  • Kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet me votim të hapur
  • Zgjedhja duhet të ndodhë brenda 30 ditëve nga shpallja e rezultateve përfundimtare
  • Nuk lejohet më shumë se tri raunde votimi për të njëjtin kandidat

Kjo nënkupton se afati kushtetues tashmë ka nisur të rrjedhë, dhe vendimet e ardhshme do të jenë vendimtare për fatin institucional të vendit.

Mbetet të shihet nëse subjektet politike do të lëvizin nga pozicionet e tyre të deritanishme, apo nëse bllokada politike do të vazhdojë edhe më tej.