Gjykata Kushtetuese e Kosovës pritet të shpallë sot vendimin lidhur me kërkesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në lidhje me legjitimitetin e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Sipas burimeve të Klankosova.tv, vendimi tashmë është marrë dhe është bazuar në merita të plota, ndërsa aktgjykimi është përgatitur pasi çështja është shqyrtuar nga trupi gjykues.
Kërkesa në Kushtetuese është dorëzuar më 12 maj nga deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, pas insistimit të shumicës parlamentare për kalimin në procedurë të votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
AAK e ka kontestuar këtë veprim si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, duke e konsideruar si një shkelje të rëndë të procedurës parlamentare.
Vendimi i Kushtetueses pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën e funksionimit të Kuvendit dhe në interpretimin e së drejtës parlamentare për çështje të tilla procedurale.
