Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar sot aktgjykimin e plotë lidhur me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke përcaktuar qartë afatin kohor për përmbylljen e procesit të konstituimit.
Në dokumentin zyrtar, Kushtetuesja thekson se afati 30-ditor për formimin e plotë të Kuvendit ka nisur të rrjedhë nga sot, me hyrjen në fuqi të këtij aktgjykimi.
Çfarë parashikon aktgjykimi?
Gjykata ka bërë të qartë se Kryesuesi i Seancës Konstituive duhet të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës, e miratuar në seancën e 8 prillit 2025, dhe në përputhje me nenin 67 të Kushtetutës së Kosovës, duhet të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit.
Zgjedhja e Kryetarit do të bëhet përmes votimit të hapur, dhe kandidati/ja mund të votohet maksimumi tri herë.
Gjithashtu, Gjykata nënvizon se deputetët e zgjedhur kanë detyrimin kushtetues që brenda 30 ditëve të zgjedhin:
- Kryetarin/en e Kuvendit,
- Dy nënkryetarë nga grupet më të mëdha parlamentare,
- Një nënkryetar nga komunitetet jo-shumicë,
- Një nënkryetar nga komuniteti serb.
Çfarë pason nëse afati nuk respektohet?
Ndonëse aktgjykimi nuk specifikon qartë pasojat nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit, precedentët e mëparshëm dhe praktikat kushtetuese sugjerojnë se një mosrespektim i këtij afati mund të çojë në pasoja politike dhe ligjore serioze, përfshirë edhe mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja.
