Gjykata Kushtetuese: Deputetët duhet të konstituojnë Kuvendin brenda 12 ditëve
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me çështjen e konstituimit të Parlamentit. Në pikën 154 të vendimit theksohet se deputetët e zgjedhur janë të obliguar ta konstituojnë Kuvendin brenda afatit të mbetur prej 12 ditësh, duke respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Gjykata rikujton obligimin e deputetëve për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit dhe për të votuar për çështje të rëndësishme, përfshirë zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.
Në pikën 155, theksohet se ky detyrim rrjedh nga neni 67 i Kushtetutës dhe lidhet me përgjegjësinë që deputetët të veprojnë në interes të Republikës, duke siguruar përfaqësim të barabartë dhe mosdiskriminues për të gjitha komunitetet. Gjykata thekson gjithashtu që të gjitha grupet parlamentare duhet të veprojnë në frymën e bashkëpunimit konstruktiv.
