Hossam al-Masri po transmetonte sulmin e ushtrisë izraelite mbi spitalin Nasser në Khan Yunis, në jug të Rripit të Gazës, për agjencinë e lajmeve Reuters kur papritur videoja direkte u ndërpre. Bashkë me të humbën jetën edhe katër gazetarë të tjerë palestinezë: reporteri Moaz Abu Taha, fotoreporteri i Al Jazeera Mohammed Salama dhe gazetarja Mariam Abu Daqa, që bashkëpunonte me disa media, përfshirë Independent Arabic dhe Associated Press, dhe gazetari Ahmad Abu Aziz.
Emrat e tyre shtohen te lista e gjatë e më shumë se 244 gazetarëve dhe punonjësve të medias që kanë humbur jetën gjatë bombardimeve izraelite, duke u përpjekur t’i tregojnë botës atë që ndodh në një vend ku gazetarët ndërkombëtarë ende nuk lejohen të hyjnë.
“S’jemi të tronditur nga lajmi për vdekjen e bashkëpunëtorit tonë Hussam al-Masri dhe plagosjen e një tjetri, Hatem Khaled, në sulmet izraelite ndaj spitalit Nasser sot në Gaza”, tha Reuters në një deklaratë të publikuar në faqen e saj zyrtare. “Po përpiqemi me urgjencë të marrim më shumë informacion dhe kemi kërkuar nga autoritetet e Gazës dhe të Izraelit të na ndihmojnë për të siguruar ndihmë mjekësore të menjëhershme për Hatem”, shtohej në deklaratë.
Al Jazeera konfirmoi se edhe gazetari i saj Mohammed Salama ishte mes viktimave të sulmit mbi spitalin Nasser.
Mariam Abu Daqa, 33 vjeçe, ishte një zë i fuqishëm në rrjetet sociale ku dokumentonte luftën përmes fotove, videove dhe intervistave. Ajo bashkëpunonte me disa media ndërkombëtare, mes tyre agjencia Associated Press. Abu Daqa kishte një djalë 12-vjeçar, i evakuuar nga Gaza në fillim të luftës. Shpesh raportonte nga spitali Nasser dhe së fundmi kishte treguar për vështirësitë e mjekëve në përpjekje për të shpëtuar fëmijët nga uria. “Po bëjmë gjithçka të mundur për të garantuar sigurinë e gazetarëve tanë në Gaza, të cilët vazhdojnë të sjellin dëshmi thelbësore në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe të rrezikshme”, tha Associated Press.
Edhe gazetari Moaz Abu Taha u vra në sulm. Televizioni amerikan NBC sqaroi se ndryshe nga sa u raportua fillimisht, ai nuk punonte për këtë rrjet.
Sipas agjencisë AFP, gazetari Ahmad Abu Aziz bashkëpunonte me media palestineze dhe ndërkombëtare.
Sindikatat e gazetarëve palestinezë dënuan ashpër ngjarjen, duke e cilësuar si “një masakër të re të ushtrisë izraelite ndaj shtypit palestinez, që i shtohet dosjes së saj kriminale”.
Në këtë sulm, përveç katër gazetarëve të vrarë, u plagosën edhe disa të tjerë, mes tyre fotografi Hatem Omar (që punon për Reuters dhe media të tjera) dhe fotografi Jamal Badah i Palestine Today.
Në deklaratë theksohej: “Në një krim të ri që i shtohet historikut gjakatar të pushtimit izraelit, që tregon qartë synimin për të goditur zërin e lirë, kamerën dëshmitare dhe kalorësit e fjalës, ushtria e pushtimit kreu një masakër të tmerrshme kundër ekipeve gazetare palestineze, duke shkaktuar vrasjen e katër kolegëve që u qëlluan për vdekje teksa kryenin detyrën e tyre profesional për të mbuluar agresionin e vazhdueshëm kundër Rripit të Gazës.”
