Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka dhënë detaje rreth përpjekjeve për krijimin e Qeverisë Kurti 3, pas deklaratës së kryeministrit në detyrë Albin Kurti se më së largu më 26 tetor do të prezantohet kabineti i ri në Kuvend.
Në një prononcim për Indeksonline, Kusari-Lila tha se gjatë kësaj jave do të nisin bisedimet me partitë politike, por përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit me PDK-në dhe Listën Serbe. Sa i përket LDK-së dhe subjekteve të tjera, ajo u shpreh se vendimi u takon Kurtit dhe LVV-së.
E pyetur nëse janë të gatshëm për zgjedhje të reja nëse nuk arrihet të formohet qeveria, Kusari-Lila tha se zgjedhjet janë zgjidhja më e mirë, duke shtuar se vendi ka nevojë për një ri-konfirmim të besimit qytetar.
Për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ajo tha se procesi ka qenë i rregullt, por pranoi se ka pasur sfida në Komunën e Gjakovës për shkak të konfuzionit mes Alternativës dhe LVV-së, me të cilat kanë bashkëpunuar prej gjashtë vitesh.
