Kurti: Zgjidhja për ngërçin në Kuvend është votimi i fshehtë – Opozita po dëmton shtetin

Para 11 muaj

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar sot se votimi i fshehtë është mënyra e vetme për të dalë nga ngërçi në Kuvendin e Kosovës. Ai akuzoi opozitën se po pengon qëllimisht arritjen e kuorumit, duke e quajtur këtë veprim të padrejtë dhe të dëmshëm për shtetin.

“Zgjidhja është votimi i fshehtë, për çfarë opozita padrejtësisht dhe me dëm për shtetin e Kosovës po e pamundëson kuorumin,” tha Kurti para mediave.

I pyetur në lidhje me rolin e Albulena Haxhiut në procesin e konstituimit të Kuvendit, Kurti e hodhi poshtë çdo aludim, duke deklaruar: “Albulena Haxhiu nuk është as në pyetje, as në pikëpyetje.”

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Kuvendi i Kosovës po përballet me bllokada dhe mungesë të dakordësisë politike për çështje kyçe institucionale. Kryeministri në detyrë theksoi se vonesat në proces janë pasojë e qëndrimeve obstruktive të opozitës dhe u bëri thirrje palëve politike të lejojnë funksionimin demokratik të institucioneve.