Kurti: Vuçiq po mbron vrasësit e Afrim Bunjakut, ndërkombëtarët s’mund të heshtin

Para 7 muaj

Në dyvjetorin e rënies së rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në sulmin terrorist në Banjskë, kryeministri në detyrë Albin Kurti bëri homazhe pranë varrit të heroit dhe vlerësoi lartë guximin dhe sakrificën e tij.

Kurti tha se Bunjaku u përball i pari me grupin paramilitar serb, duke mbrojtur jetën e qytetarëve dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

“Ai mbrojti qytetarët pa dallim, mirëmbajti rendin publik dhe sundimin e ligjit. Ishte polic me 22 vite përvojë, 16 prej tyre si rreshter. Me aktin e tij heroik, e fitoi gradën që askush nuk mund t’ia marrë më: Hero i Kosovës”, deklaroi Kurti.

Kryeministri tha se guximi i Bunjakut ishte i dyfishtë, sepse ai mori përsipër rrezikun e drejtpërdrejtë duke mos lejuar që policët e rinj të ekspozoheshin para rrezikut.

“Nuk i lejoi të rinjtë të vet të sakrifikoheshin, zgjodhi vetë të përballej me grupin terrorist të udhëhequr nga Milan Radoiçiq, i cili kishte vendosur bllokadën me kamionë në rrugën për në Banjskë”, shtoi ai.

Thirrje për drejtësi dhe veprim ndërkombëtar

Kurti u bëri thirrje fuqive ndërkombëtare që të mos e trajtojnë Serbinë si shtet normal përderisa ajo vazhdon të mbrojë personat përgjegjës për sulmin e 24 shtatorit 2023.

“Serbia nuk mund të quhet shtet normal përderisa nuk dorëzon kriminelët e organizuar e të udhëhequr nga Milan Radoiçiq dhe të financuar nga presidenti Aleksandër Vuçiq. Aktakuza përfshin 45 persona – ata duhet të dorëzohen menjëherë shtetit të Kosovës”, theksoi Kurti.