Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar familjen e heroit të kombit Mujë Krasniqi – Komandant Kapuçit, duke theksuar rëndësinë e mosharresës së sakrificës së dëshmorëve të UÇK-së. Kurti tha se Mujë Krasniqi ishte ndër luftëtarët e parë të UÇK-së dhe simbol i qëndresës në luftën e fundit në Kosovë.
Gjatë vizitës në Klinë, Kurti u prit nga babai i heroit, Halil Krasniqi, të cilin e cilësoi si bashkëbisedues të urtë dhe të kthjellët. Ai theksoi se është obligim moral dhe kombëtar të nderohet gjaku i atyre që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Nga ana e tij, 91-vjeçari Halil Krasniqi falënderoi Kurtin për vizitën dhe mbështetjen, duke theksuar se shteti i Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën, gjakun dhe qëndresën e dëshmorëve dhe luftëtarëve të lirisë.
