Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia po zhvillon një ofanzivë të ashpër diplomatike për të minuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, ndërsa në këto përpjekje po ndihmohet edhe nga Rusia.
Deklaratat Kurti i bëri gjatë edicionit të tetë të Konferencës së Ambasadorëve, që po mbahet nga 11 deri më 13 gusht në Prishtinë. Ai theksoi se përpjekjet e Serbisë për të dëmtuar imazhin dhe legjitimitetin e Kosovës po vazhdojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe sistematike, përmes shpërndarjes së mesazheve të rreme nëpër botë.
Megjithatë, sipas Kurtit, Kosova ka arritur një rritje të ndjeshme në fushën diplomatike. Ai njoftoi se aktualisht vendi ka gjithsej 53 përfaqësi diplomatike të shtrira në të gjitha kontinentet, përveç Antarktikut, duke e cilësuar këtë si përparimin më të madh diplomatik ndonjëherë.
Ndërkohë, ministrja e Jashtme dhe e Diasporës në detyrë, Donika Gërvalla, në adresimin e saj para ambasadorëve vlerësoi dy njohjet e fundit që Kosova ka marrë nga Kenia dhe Sudani si sukses diplomatik. Ajo përmendi edhe reformat e ndërmarra në ministrinë që drejton dhe theksoi se roli i ambasadorëve është thelbësor në mbrojtjen dhe avancimin e interesave të shtetit të Kosovës.
Konferenca e Ambasadorëve synon të forcojë bashkëpunimin diplomatik dhe të përcaktojë prioritetet strategjike të politikës së jashtme të Kosovës në periudhën në vijim.
