Sot në orën 10:30 ishte planifikuar përpjekja e 18-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, por sërish pa sukses. Në vend të një mesazhi institucional për procesin parlamentar, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, zgjodhi të ndajë një informacion tjetër – këtë herë nga fusha e kulturës.
Vetëm pesë minuta para fillimit të seancës, Kurti publikoi në profilin e tij në Facebook një postim ku theksonte përfaqësimin e Kosovës në Festivalin e Filmit në Kanë, përmes Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK).
“Shumë vjet punë në prapaskena kalohen në bashkëpunim, rrjetëzim, ngritje fondesh…”, shkruan Kurti, duke shprehur krenarinë për përfshirjen e Kosovës në këtë ngjarje ndërkombëtare, përkrah Shqipërisë.
Në këtë edicion të Kanës, projektet filmike të autorëve Samir Karahoda (“Imazhe të Humbura”), Kaltrina Krasniqi (“Bleach”) dhe Sami Mustafa (“Symphony of Season”) janë në faza zhvillimi e prezantimi.
Megjithatë, fakti që postimi i Kurtit u bë pikërisht në momentin kur vendi po përballet me një krizë të zgjatur politike – dhe Kuvendi mbetet i pakonstituuar – ka ngjallur reagime të ndryshme, duke shtuar edhe më tej debatin për prioritetet e lidershipit aktual.
