Prishtinë, 25 qershor 2025 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, z. Eirik Nestås Mathisen, me të cilin diskutoi për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Kryeministri Kurti vlerësoi marrëdhëniet e mira me Norvegjinë, duke falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme në proceset e shtetndërtimit dhe integrimeve ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë edhe përkrahjen aktive për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në fusha kyçe si mbrojtja, siguria, energjia dhe teknologjia e informacionit. Po ashtu, u trajtuan edhe zhvillimet rajonale dhe temat me interes të përbashkët.
Kurti falënderoi Norvegjinë edhe për rolin e saj në Marrëveshjen Tregtare mes Kosovës dhe vendeve të EFTA-s, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike dhe fuqizimin e partneritetit tregtar.
