Kurti pret dy kongresistë amerikanë – në fokus mbrojtja dhe aleanca Kosovë–ShBA

Para 5 muaj

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kongresistët amerikanë Mike Turner dhe Donald Norcross, pjesë e Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe Komitetit për Shërbimet e Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve.

Gjatë takimit u theksua fuqizimi i marrëdhënieve Kosovë–ShBA, veçanërisht në fushën e mbrojtjes. Kurti theksoi se mbi 1000 pjesëtarë të FSK-së janë trajnuar në programe ushtarake amerikane gjatë katër viteve të fundit dhe kujtoi pjesëmarrjen e Kosovës në tre edicione të Defender Europe, përfshirë vendosjen e komandes së Divizionit të 28-të amerikan në Gjakovë gjatë Defender Europe 2025.

Ai përmendi investimet në kapacitete mbrojtëse, blerjen e sistemeve Javelin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme të sigurisë, përfshirë atë për Informacion të Klasifikuar dhe CISMOA.

Përveç mbrojtjes, u diskutua edhe bashkëpunimi ekonomik, energjia, teknologjia dhe projekte të mëdha infrastrukturore, me theks te transporti hekurudhor. Kurti vuri në dukje përparimin demokratik dhe ekonomik të vendit dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj Kosovës.