Kurti për sulmin në “Ibër-Lepenc”: Shteti triumfoi përballë grupeve ekstremiste të mbështetura nga Beogradi

Para 5 muaj

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kujtuar sot njëvjetorin e sulmit terrorist në akuaduktin e “Ibër-Lepencit” në Zubin-Potok, i cili rrezikoi furnizimin me ujë dhe energji në disa komuna të vendit.

Në një deklarim publik, Kurti tha se reagimi institucional i vitit të kaluar ishte vendimtar për të shmangur pasojat e rënda ndaj sistemit energjetik dhe furnizimit me ujë.

“Në afat rekord prej vetëm një muaji akuadukti u rindërtua dhe rrjedha e ujit u rikthye në kapacitete të plota. Shteti triumfoi përballë grupeve ekstremiste dhe terroriste që mbështetjen dhe financimin e gjejnë te Beogradi zyrtar, e inspirimin te Rusia”, u shpreh ai.

Kurti e krahasoi sulmin ndaj infrastrukturës kritike me taktikat ruse ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës, duke thënë se qëllimi ishte destabilizimi i vendit. Ai rikujtoi se pas bastisjeve në veri u konfiskuan armë, uniforma dhe pajisje që sipas tij lidhen me grupe serbo-ruse.