Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite në SHBA, ka komentuar pezullimin e Dialogut Strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se arsyeja kryesore lidhet me mbylljen e strukturave ilegale serbe në veri të vendit.
I pyetur për vendimin e SHBA-së të bërë publik më 12 shtator, Kurti u shpreh se “nuk mund të bëjë kompromise me sundimin e ligjit” dhe se kjo është një çështje që nuk duhet t’i lihet brezave të ardhshëm.
“[Pezullimi] është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë,” tha Kurti.
Ai shtoi se raporti Kosovë–SHBA ka tre shtylla: mbrojtje, zhvillim dhe diplomaci. Sipas tij, problemet aktuale lidhen me diplomacinë, ku ekzistojnë “pengesa”, për shkak të perceptimeve të ndryshme për raportet me Serbinë.
“SHBA-ja e konsideron shumë të rëndësishme që ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore, sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën… disa politikanë dhe diplomatë në SHBA mendojnë se ne nuk po i ndihmojmë që ta shkëpusin Serbinë nga Rusia. Por sinqerisht, ky nuk duhet të jetë problemi im,” deklaroi Kurti.
Në anën tjetër, Ambasada Amerikane në Prishtinë më 12 shtator theksoi se veprimet e Qeverisë Kurti kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë në vend, duke vështirësuar bashkëpunimin mbi prioritetet e përbashkëta.
“Veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite,” thuhej në njoftim, pa sqaruar konkretisht për cilat veprime e deklarata bëhet fjalë.
Kurti, ndërkohë, në SHBA tha se nuk është kryeministër që do t’i kërkojë Policisë së Kosovës të mos arrestojë një kriminel serb në flagrancë, edhe nëse kjo mund të shkaktojë reagime nga Brukseli apo Uashingtoni.
“Unë u dukem atyre shumë ndryshe nga paraardhësit e mi. Ky është mallkim nga pasardhësit e mi, të cilët kanë qenë të butë. Unë jam normal, por dukem ekstrem. Kjo është për shkak të paraardhësve të mi që nuk kanë qenë normalë,” u shpreh ai.
Kurti theksoi se dallimet me SHBA-në janë vetëm në “taktika dhe veprime”, jo në vlera apo parime, dhe shtoi: “Nuk jemi prishur me Amerikën.”
Veprimet e Qeverisë për mbylljen e institucioneve që operojnë sipas sistemit serb në veri, përfshirë Fondi për Sigurim Shëndetësor dhe ai Pensional në Mitrovicën e Veriut, kanë ngjallur kritika të forta nga faktori ndërkombëtar, përfshirë SHBA-në. Kosova i cilëson këto struktura si paralele dhe ilegale.
