Pas shpalljes së rezultateve preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, doli në konferencë për media me një ton dukshëm më të matur ndaj kundërshtarëve politikë. Ndryshe nga retorika e 9 shkurtit dhe periudha e tensionuar që e pasoi, këtë herë Kurti shmangu konfrontimin dhe madje ftoi partitë opozitare për bashkëpunim institucional.
Kjo qasje e re nuk është e rastësishme dhe as thjesht çështje stili komunikimi. Ajo duhet parë në kontekstin e një viti të vështirë politik, të shënuar nga bllokada institucionale, përplasje të ashpra politike dhe presion i vazhdueshëm i brendshëm e ndërkombëtar për stabilitet.
Retorikë e zbutur, por jo pa kalkulim?!
Gjuha më e butë e Kurtit sinjalizon përpjekje për të ulur tensionet dhe për ta paraqitur veten si faktor stabiliteti pas fitores zgjedhore. Megjithatë, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht një ndryshim thelbësor në mënyrën e qeverisjes apo në raportet me opozitën. Ftesa për bashkëpunim erdhi pasi VV-ja doli sërish parti fituese, çka e vendos Kurtin në pozitë komode politike, pa pasur nevojë për kompromise të mëdha.
Në këtë kuptim, thirrja për bashkëpunim duket më shumë instrumentale sesa thelbësore: synon funksionalizimin e institucioneve, ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe shmangien e një tjetër krize parlamentare, më shumë sesa ndërtimin e një konsensusi real politik.
Ftesa e Kurtit ka dy audienca kryesore. E para është opozita, të cilës i ofrohet bashkëpunim pa u qartësuar ende korniza, kushtet apo hapësira reale për ndikim. E dyta është faktori ndërkombëtar, të cilit i dërgohet mesazh se Kosova është e gatshme për stabilitet institucional dhe dialog politik, pas një periudhe përplasjesh të vazhdueshme.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse kjo gjuhë e re do të shoqërohet me veprime konkrete në Kuvend apo do të mbetet vetëm pjesë e narrativës paszgjedhore.
Albin Kurti po luan një fazë të re politike: më pak përplasje në fjalë, më shumë menaxhim të perceptimit publik. Gjuha e matur është sinjal pozitiv, por jo garanci për bashkëpunim real. Në politikë, veçanërisht në Kosovë, fjalët kanë peshë vetëm atëherë kur shndërrohen në vendime dhe veprime konkrete.
Testi i vërtetë i kësaj qasjeje nuk do të jetë konferenca për media, por funksionimi i Kuvendit dhe mënyra se si do të trajtohet opozita në praktikë.
Artë Ramiqi
