Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave do të nisin bisedimet për formimin e Qeverisë “Kurti 3”.
Kurti nëpërmjet një konference për media ku foli për rezultatin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, tha se dita e fundit kur do të mund të mbahet seanca e Kuvendit ku ai prezanton kabinetin e ri qeveritar është 26 tetori.
“Shumë shpejtë, qysh këtë javë, do të fillojmë komunikimin dhe bisedat për qeverinë qendrore.
Sepse, Kosovës i duhet edhe një mandat i ri i qeverisë sonë. Neve na duhet një mandat në përputhje me rezultatin e 9 shkurtit 2025. Por, gjithashtu edhe unë si kryeministër në detyrë kam hyrë në muajin e shtatë të vitit të pestë të mandatit të plotë katër vjeçar dhe duhet të kemi një mandat të rregullt i cili pa dyshim do të fillojë posa ne ta nxjerrim në seancë parlamentare përbërjen e re të Qeverisë ‘Kurti 3′”, theksoi Kurti.
Ai u pyet nga gazetarët se bazuar në rezultatin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, a janë të gatshëm për zgjedhje të reja parlamentare, derisa Kurti tha se fillimisht po përgatiten për të vazhduar qeverisjen ndërsa nëse nuk ka dakordim për këtë, janë të gatshëm për zgjedhje të reja.
