Kurti në kinema: Vlerëson filmin “Era” si një nga krijimet më prekëse të viteve të fundit

Para 6 muaj

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka ndarë fjalë vlerësuese për filmin më të ri artistik “Era” të regjisores dhe skenaristes Parta Kelmendi, duke e cilësuar si një nga veprat më të ndjera të viteve të fundit.

Në një postim në Facebook, Kurti theksoi se “‘Era’ ngjan më e vërtetë se një dokumentar, duke prekur me heshtje shtypëse e kujtime të pashlyeshme nga vitet ’90”.

Filmi trajton diskriminimin e shqiptarëve pas suprimimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989, përmes historisë së personazhit të Era Gashit, luajtur nga Zana Berisha.

“Filmi shpalos ankthin, guximin dhe shpresën e asaj kohe. Fjalia ‘Kjo është mbijetesë, Shpresë.’ e përmbledh më së miri thelbin e tij”, shkroi Kurti.

Premiera e filmit u mbajt mbrëmë në Cineplexx Albi Mall, ku u prit me emocione dhe reflektime nga publiku dhe komuniteti artistik.