Kurti mirëpret heqjen e masave nga BE: Nuk ishim shkaktarë për tensionet në Veri

Para 4 muaj

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti të premten vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese.

– Advertisement –

BE-ja vendosi masat ndaj Kosovës më 2023 për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Por, Kurti gjatë mbledhjes së ekzekutivit tha se institucionet e Kosovës “nuk ishin shkaktare të përshkallëzimit të situatës” në veri, por ulja e tensioneve në atë zonë “ishte pikërisht meritë e institucioneve” të shtetit.

Ai tha se pas vendosjes së masave ndëshkuese, që do të hiqen krejtësisht në fund të janarit dhe do t’i mundësojë vendit të fitojë miliona euro ndihmë financiare, Kosova u përballë me dy sulme, në shtator të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit, dhe në nëntor të vitit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit.

Për të dy sulmet, Kurti përsëriti qëndrimin se ka prova për përfshirjen e shtetit të Serbisë.

“Në retrospektivë, çdo kompromis ndaj sundimit të ligjit do të ishte fatal për Kosovën. Situata e qetë, lëvizja e lirshme dhe funksionimi i institucioneve të shtetit në veriun e Kosovës, është pikërisht sepse ka triumfuar sundimi i ligjit dhe rendi publik. Me gjithë këto, gjatë gjithë kësaj kohe nuk kemi qenë asnjëherë të hidhëruar me BE-në. Kemi mbetur plotësisht të përkushtuar ndaj integrimit evropian, për përmbushjen e kritereve për anëtarësim”, theksoi ai.

Duke folur për masat, ai kritikoi partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, që nuk votuan në nëntor Planin e Rritjes dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore, para se Kuvendi të shpërndahej.