Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është mandatuar unanimisht nga Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë së re. Në mbledhjen e 59-të, Kurti prezantoi 25 zotime dhe projekte madhore që do të jenë boshti i mandatit të ardhshëm qeverisës.
Ndër premtimet kryesore janë: valuta digjitale e Kosovës, Kulla e Teknologjisë në Prishtinë, rrjeti “Anembanë” për transport publik, Banka Zhvillimore me fond 1 miliard euro, 500 milionë për Brezovicën, paga minimale mbi 500 euro pa tatim, si dhe mbështetje financiare për gjyshërit që kujdesen për fëmijët e vegjël.
Kurti premtoi investime të mëdha në infrastrukturë, energji, shëndetësi, arsim dhe siguri, përfshirë ndërtimin e pesë digave, modernizimin e termocentraleve, hekurudhën Prishtinë–Durrës, dhe ndarjen e mbi 1 miliard eurove për ushtrinë.
Në plan afatgjatë, objektiv kryesor mbetet integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.
