Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar sot 5-vjetorin e dërgimit në paraburgim të ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë, duke theksuar se qëndrimi i tyre pas hekurave nuk ka më as arsye ligjore e as morale.
Në një postim në Facebook, Kurti tha se më 5 nëntor 2020, menjëherë pasi kishte vendosur lule të freskëta te varri i Astrit Deharit, Rexhep Selimin e kishin dërguar në burgun e Hagës, ku ndodhet ende sot.
“Përveç tij, edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi po ndodhen në paraburgim tash e pesë vjet. Pesë vite pritje, pesë vite pas hekurave ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: “rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët”. Por Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim”, ka shkruar Kurti.
Kurti në një postim në Facebook, publikoi për herë të parë letrën dërguar kryetares e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova për lirimin e çlirimtarëve nga Hagë.
Ai shtoi se si kryeministër dhe si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi i procesit, ndërsa bëri publike një letër të dërguar në shtator të vitit 2022 kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

