Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kritikuar ashpër Odën Ekonomike të Kosovës gjatë mbledhjes së Qeverisë në detyrë, lidhur me protestën e organizuar nga bizneset kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që parasheh daljen në treg të hapur të energjisë elektrike më 1 qershor.
Protestuesit, kryesisht përfaqësues të ndërmarrjeve private, kanë bllokuar hyrje-daljet kryesore të Prishtinës në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit që prek rreth 1200 biznese, përfshirë edhe 300 kompani prodhuese.
“Oda Ekonomike e Kosovës që do të duhej të ishte pranë bizneseve për t’u përballur me realitetin e ri, sot po tenton të bllokojë rrugët me një kërkesë të vetme: shtyrjen e zbatimit të liberalizimit të tregut. Po e kërkojnë këtë pasi nuk janë përgatitur për tetë vjet rresht”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se shtyrja e këtij vendimi do të kishte pasoja financiare për të gjithë qytetarët.
“Plotësimi i kërkesës së tyre nuk e zgjidh problemin, por vetëm ia bart koston e energjisë së atyre 1200 bizneseve faturave të qytetarëve”, tha ai.
Kurti u shpreh se vendimi i Odës për të “vendosur barrikada” është i papranueshëm dhe i tejkaluar në kohë.
“Koha e barrikadave ka kaluar dhe ne i kemi hequr ato ku kanë qenë. U bëjmë thirrje të gjitha odave dhe bizneseve që të mendojnë për efiçiencë e optimizim të energjisë”, shtoi kryeministri në detyrë.
Ai theksoi se procesi i liberalizimit nuk është i ri dhe se ligji është miratuar që në vitin 2016, ndërsa faza e dytë është shtyrë disa herë në tetë vitet e fundit. Sipas tij, Kosova ka pasur kohë të mjaftueshme për përgatitje, ndryshe nga Shqipëria e Maqedonia që tashmë e kanë përmbyllur këtë fazë.
“Bizneset tona kanë përfituar nga tarifat e rregulluara dhe subvencione direkte në vlerë prej 26 milionë euro. Ato kanë krijuar avantazh konkurrues dhe më shumë kohë se të tjerët për t’u përgatitur”, përfundoi Kurti.
Ndërkohë, protestat e bizneseve kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim dhe tension në hyrjet e kryeqytetit, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e përshkallëzimit të tyre në ditët në vijim.
