Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili paralajmëroi “përgjigje të ashpër” pas arrestimit dhe paraburgimit të zyrtarit serb Igor Popoviq.
Kurti i cilësoi këto deklarata si “kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme”, duke theksuar se Popoviq po trajtohet në përputhje me ligjin nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.
“Serbia po përpiqet të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës përmes veprimeve hibride. Vetëm në vitin e fundit janë arrestuar gjashtë persona për spiunazh në shërbim të strukturave serbe të sigurisë”, tha Kurti, duke akuzuar presidentin serb për mbështetje të grupeve kriminale me qëllime politike.
Kreu i qeverisë kosovare nënvizoi se vendi i tij nuk do të tolerojë përfshirjen e grupeve të tilla në jetën publike, as gjuhën e urrejtjes dhe përçarjes etnike. Ai shtoi se kërkesa për dorëzimin e Milan Radoiçiqit dhe 44 pjesëtarëve të tjerë të grupit të armatosur është e qartë, ndërsa Beogradi, sipas tij, po i përdor ata për frikësim të brendshëm dhe tensionim të situatës në rajon.
“Jemi të vendosur për të mbrojtur ligjin dhe rendin tonë. Kosova është shtet dhe nuk i nënshtrohet presionit të askujt”, përfundoi Kurti.
