Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ftuar për një takim të përbashkët kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe atë të PDK-së, Memli Krasniqi. Takimi është paraparë të mbahet të enjten, më 1 maj, në orën 08:30, në sallën N-204 të Kuvendit të Kosovës.
Në letrën dërguar Abdixhikut, Kurti ka përmendur nevojën për dakordim mes partive kryesore për përzgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit, sipas rezultatit zgjedhor dhe praktikës kushtetuese.
Megjithatë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar ftesën, duke deklaruar se nuk do të marrë pjesë në këtë takim. Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka konfirmuar për Indeksonline se pozita e nënkryetarit i takon LDK-së në bazë të rezultatit zgjedhor dhe nuk është subjekt negociatash me parti të tjera.
“Zgjedhja e nënkryetarëve bëhet në pako nga Kuvendi, sipas praktikës së deritanishme. Ndërsa zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është çështje e marrëveshjes politike ndërmjet partive që synojnë shumicën, dhe LDK-ja nuk është pjesë e këtyre diskutimeve,” ka deklaruar Bajrami.
Takimi i thirrur nga Kurti duket të jetë pjesë e përpjekjeve për krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve apo në një fazë të ndërlikuar të konstituimit të Kuvendit, megjithatë mosharesimi i LDK-së sinjalizon vështirësi në koordinimin ndërpartiak.
