Kurti flet për tentativën e 19-të për konstituimin e Kuvendit: “Zgjidhja nuk është t’i imponojmë propozimet njëri-tjetrit

Para 11 muaj

një intervistë ekskluzive për RTK-në, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur për situatën aktuale të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, që nesër pritet të jetë tentativa e 19-të për ta formuar atë. Kurti shprehu bindjen se konstituimi do të ishte realizuar shpejt, ndërsa theksoi se emri i Albulena Haxhiut, e cila nuk ka arritur ende të sigurojë numrin e nevojshëm të votave, mbetet propozimi i duhur për kryetare të Kuvendit.

Pavarësisht se Albulena Haxhiu ishte deputetja më e votuar në legjislaturën e kaluar, ajo nuk ka arritur të sigurojë 61 vota, pasi ndërmjet deputetëve të koalicionit LVV-Alternativa e Guxo dhe atyre të pakicave, mungojnë disa vota. Kryeministri tha se kanë bërë disa përpjekje për ta realizuar këtë, duke e kaluar çështjen nga një votim i hapur në një përpjekje për votim të fshehtë, por kjo ka hasur në kundërshtime.

Kurti theksoi se aktgjykimi i Kushtetutës kërkon që zgjedhja të bëhet me votim të hapur ose të fshehtë, dhe pohon se është për keqardhje që po pamundësohet kuorumi, duke shkelur kështu aktgjykimin. Ai foli edhe për ftesat që i ka bërë PDK-së dhe LDK-së për të dalë nga ky ngërç, por takimi me këto parti ka përfunduar pa arritur ndonjë marrëveshje konkrete.

Ai shtoi se zgjidhja e duhur është që zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të bëhet bashkë në një paketë dhe të fillohet numërimi për formimin e qeverisë, pasi që aktualisht ky proces ka ngecur. Kurti theksoi se zgjidhja nuk është të imponohen propozimet, por të zhvillohet një marrëveshje politike.

Duke përfunduar, ai theksoi se është e nevojshme të konstituohet Kuvendi për të mundësuar formimin e një qeverie të re, e cila ka nevojë për një Kuvend të ri. Ai gjithashtu e vlerësoi mandatin e tij katërvjeçar për arritjet ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies sociale, duke theksuar se gjatë këtij mandati është arritur një rritje e konsiderueshme ekonomike dhe se ka pasur një zhvillim të qëndrueshëm të vendit.