Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër është një hap i rëndësishëm drejt afrimit të komuniteteve dhe përmirësimit të komunikimit mes veriut dhe jugut të vendit.
Gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit, Kurti tha se mungesa e infrastrukturës ka qenë shkak për ndarje dhe tensione, ndërsa këto ura do të mundësojnë më shumë bashkëpunim dhe lëvizje të lirë mes qytetarëve të të gjitha komuniteteve.
“Jam gjithmonë për ura të bashkëpunimit. Këto ura nuk janë kundër askujt, por për të gjithë – shqiptarë, serbë, boshnjakë, romë dhe të tjerë,” tha ai.
Ai theksoi se ndërtimi është në përputhje me ligjet e Kosovës dhe planet zhvillimore, duke iu përgjigjur paralajmërimeve të BE-së për shmangie të veprimeve të njëanshme.
Sipas detajeve teknike, njëra urë do të ketë gjatësi prej 51 metrash dhe gjerësi 10 metra, e dedikuar për automjete dhe këmbësorë. Ura tjetër do të jetë 41 metra e gjatë dhe 3.7 metra e gjerë, vetëm për këmbësorë.
Projekti, me kosto rreth 3 milionë euro, pritet të përfundojë në vjeshtë dhe do ta çojë në 37 numrin e përgjithshëm të urave mbi lumin Ibër në Kosovë. Në gjithë rrjedhën e lumit, përfshirë edhe Malin e Zi dhe Serbinë, do të jenë 77 ura.
Lidhur me urën kryesore në Mitrovicë, që vazhdon të jetë e mbyllur për automjete dhe e monitoruar nga karabinierët italianë të KFOR-it, Kurti tha se ajo duhet të hapet:
“Nuk heqim dorë prej asnjë qëllimi tonë. Kjo urë ka nevojë të hapet. Nuk duam fërkime me askënd, përfshirë karabinierët italianë – po i presim të binden, siç jemi bindur edhe ne.”
Projekti po realizohet nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkëpunim me komunat përkatëse të Mitrovicës.
