Kurti dhe Cuvelier diskutojnë për bashkëpunim në sundimin e ligjit

Para 1 vit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka pritur sot në takim ambasadorin e Belgjikës në Kosovë, Grégoire Cuvelier, ku kanë diskutuar mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha si ekonomia, investimet, drejtësia e sundimi i ligjit.

Zyra e Kryeministrit njofton se në takim u theksua edhe vullneti dhe gatishmëria për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe me qëllim fuqizimin e bashkëpunimit.

Tutje, sipas njoftimit, gjatë bisedës mes tyre kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e dhënë nga Belgjika në të gjitha etapat e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës. Ai shtoi se vendi ynë mirëpret trupat shtesë që Belgjika i ka dërguar në kuadër të misionit të KFOR-it, duke filluar nga 1 prilli 2025.

Kurti shtoi se Kosova vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës në proceset e integrimit euroatlantik, duke përfshirë anëtarësimin e vendit tonë në Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.