Kurti darkon me zyrtarin e DASH: Në fokus raportet me SHBA dhe dialogu me Serbinë

Para 9 muaj

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një darkë pune me Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, gjatë një takimi të mbajtur në rezidencën e ambasadorit amerikan në Prishtinë. Ngjarja u organizua nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së, Anu Prattipati.

Kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje zyrtarit amerikan dhe theksoi rolin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara si aleate strategjike të Kosovës, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme në shtetndërtim dhe zhvillim demokratik.

Në darkë u diskutuan tema të rëndësishme për marrëdhëniet bilaterale Kosovë–SHBA, përfshirë investimet, mbrojtjen, diplomacinë dhe integrimin euro-atlantik të vendit. Po ashtu, në fokus ishin zhvillimet politike aktuale, raportet me Serbinë dhe siguria rajonale në një periudhë të ndjeshme për Ballkanin.

Pas takimit, Kurti ndau në rrjetin social X një falënderim për mbështetjen amerikane dhe theksoi se bashkëpunimi ekonomik dhe diplomatik mbeten prioritete për forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve.