Kurti akuzon opozitën për sabotim: Kosova ende pa institucione gjashtë muaj pas zgjedhjeve

Para 9 muaj

Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka akuzuar sot ish-partitë opozitare për bojkot dhe sabotim të themelimit të institucioneve të reja, gjashtë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Në një deklaratë publike gjatë nominimit të Hajrulla Çekut si kandidat për kryetar të Prishtinës nga Vetëvendosje – Qendra në Prishtinë, Kurti theksoi se “destruktiviteti opozitar” po e mban vendin të bllokuar, duke pretenduar se veprimet e opozitës janë të shtyra nga “xhelozia dhe lakmia” për rezultatin zgjedhor.

“Opozitarët as nuk po shtyhen, as nuk po ngrihen. Nuk po bëjnë as përpara, as përpjekje për të ndërtuar institucionet. Kjo bllokadë nuk është tjetër veçse refuzim i vullnetit qytetar,” deklaroi Kurti.

Kosova vijon të qëndrojë pa institucione funksionale, teksa më 27 korrik Gjykata Kushtetuese ka vendosur një masë të përkohshme, pas dështimit për konstituimin e legjislaturës së nëntë brenda afatit të caktuar – 26 korriku. Kjo masë vlen deri më 8 gusht, duke lënë të hapur mundësinë për zgjidhje politike ose përballje me një krizë më të thellë institucionale.

Kurti tha se gjatë muajve të fundit, Vetëvendosje ka bërë kompromise të konsiderueshme, duke dërguar dy ftesa për bashkëqeverisje ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), por kjo e fundit i ka refuzuar. Po ashtu, bisedimet me Nismën Socialdemokrate, e cila ka tre deputetë, nuk kanë sjellë dakordim, pasi kërkesa kryesore e kësaj partie ishte posti i kryetarit të Kuvendit.

Ndërkohë, vendi përballet me një vakuum politik që po ndikon edhe në funksionimin e përditshëm të institucioneve dhe proceset ndërkombëtare në të cilat Kosova është e përfshirë.