Historia prekëse e një babai nga Bangladeshi që, përmes sakrificës dhe punës së ndershme si pastrues, mësoi se dashuria dhe respekti i vajzës së tij vlejnë më shumë se çdo pasuri materiale.
E dija prej kohësh që vajza ime ishte e dashuruar me një djalë. Por ajo nuk ma tregonte. Kishte frikë. E ndjeja se mbante diçka brenda saj, ndoshta nga turpi për punën time. Unë isha pastrues. Ndoshta ajo mendonte se puna ime e thjeshtë më bënte të pavlerë në sytë e të tjerëve – madje edhe në sytë e saj.
Më mundonte mendimi se fëmijët e mi ndoshta më urrenin për shkak të asaj që bëja që në fëmijëri. Por një ditë, e thirra vajzën dhe i thashë: “Fto djalin që do, bashkë me familjen e tij. Dua t’ju njoh.”
Zbukurova shtëpinë me kujdes. Gatova me dorën time ushqimin më të mirë. Për 20 vjet kisha kursyer para për ditën kur vajza ime do të martohej – dhe ajo ishte më e lumtur se kurrë atë ditë.
Kur filloi biseda mes dy familjeve, ata treguan çfarë prisnin nga ne. Nuk flisnin për dashuri, por për lista. Lista gjërash materiale: mobilie, ar, para, tokë. Unë vetëm pohoja me kokë dhe numëroja në heshtje. Për hir të vajzës sime, isha gati t’i jepja të gjitha.
Deri në momentin kur ata thanë: “Nuk duam që ti – babai – të kesh kontakte me vajzën. Mos vizito më shtëpinë tonë. Ne nuk duam të kemi lidhje me një pastrues.”
Në ato momente, vajza ime shpërtheu. U ngrit me lot në sy dhe me forcën e zemrës, i dha një shuplakë djalit.
“Babai im bën një punë që pak kush do të mund ta bëjë. Ai pastron rrëmujën e njerëzve. Ai është njeriu më i ndershëm që njoh. Unë jam krenare për të. Largohuni nga shtëpia ime menjëherë!”
Ajo e prishi një lidhje pesëvjeçare për një sekondë. Për mua.
Nga ajo ditë e tutje, e kuptova vlerën time të vërtetë. Nuk isha i varfër. Isha babai i një vajze që e dinte çfarë vlen në jetë.
Unë jam Monu Lal, pastrues nga Akash, Bangladesh. Por mbi të gjitha, jam një baba i pasur me dashurinë e vajzës sime.
Redaksionale:
Ky rrëfim, i shpërndarë fillimisht në rrjete sociale si histori frymëzuese, vjen i përpunuar për botim nga redaksia, duke ruajtur mesazhin emocional dhe vlerat njerëzore që përcjell.
Artë Ramiqi
