Këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina, ka reaguar pas kërcënimit të fundit që ka marrë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Në një prononcim për Klankosova.tv, Kupina theksoi se kërcënimi i kësaj jave është vetëm vazhdimësi e kërcënimeve të vazhdueshme me jetë ndaj Presidentes, të cilat, sipas tij, po injorohen sistematikisht nga institucionet e drejtësisë.
“Kërcënimi i kësaj jave është vazhdimësi e kërcënimeve të vazhdueshme me jetë ndaj Presidentes Osmani. Çfarë i bashkon të gjitha? Mosveprimi i institucioneve të drejtësisë,” u shpreh Kupina.
Ai theksoi se përkundër dhjetëra rasteve të raportuara — shumica prej tyre kërcënime serioze për jetën — asnjë veprim konkret nuk është ndërmarrë për të sjellë autorët para drejtësisë. Sipas Kupinës, në shumë raste kërcënuesit janë persona të identifikueshëm, madje disa kanë shprehur publikisht thirrje për dhunë edhe në emisione televizive.
“Kjo klimë e rrezikshme nxit të tjerë të ndjekin të njëjtin model: nxitje dhune, thirrje për eliminim fizik dhe përçmim të plotë ndaj rendit kushtetues,” shtoi ai.
Kupina bëri të ditur se sipas institucioneve të sigurisë, rasti i kërcënimeve të njëpasnjëshme me jetë ndaj Presidentes dhe familjes së saj është unik në historikun e shtetit, pasi asnjë nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë deri më sot.
Ai apeloi për trajtim serioz të këtyre kërcënimeve dhe reagim urgjent institucional për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe për të ruajtur rendin demokratik dhe kushtetues të vendit.
