Kujtohet sakrifica e Komandant Mujë Krasniqi – Kapuqi dhe luftëtarëve të Brigadës 113

Para 4 muaj

Janë bërë 27 vjet nga njëra prej betejave më të rënda dhe më domethënëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në dhjetor të vitit 1998, një grup luftëtarësh të UÇK-së, të përgatitur dhe të armatosur në Shqipëri, morën rrugën drejt Kosovës për t’iu bashkuar frontit të luftës çlirimtare.

Gjatë kalimit në zonën e Pashtrikut, në Likenet e Hasit – Gorozhup, më 14 dhjetor, forcat e UÇK-së u përballën me ushtrinë serbe. Në këtë përballje të pabarabartë ranë dëshmorë Komandanti i Brigadës 113, Mujë Krasniqi – Kapuqi, dhe 40 luftëtarë të tjerë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e rezistencës shqiptare.

Mujë Krasniqi ishte ndër figurat kyçe të organizimit të hershëm të UÇK-së dhe bashkëveprues i afërt i Komandantit Legjendar Adem Jashari. Angazhimi i tij në ndërtimin e strukturave ushtarake dhe frymëzimin e luftëtarëve për liri e bën atë një nga figurat më të shquara të luftës çlirimtare.

Në përvjetorin e rënies së tyre, institucionet, familjarët dhe bashkëluftëtarët kujtojnë me nderim të lartë dëshmorët: Rifat Mëziu, Beqir Gashi, Ali Krasniqi, Luljeta Shala, Afrim Musliu, Agim Mziu, Agron Mehmeti, Arben Hyseni, Astrit Bytyçi, Bashkim Krasniqi, Bekim Bytyqi, Besim Qarri, Enver Olluri, Fadil Rashiti, Faton Gjylani, Gani Elshani, Gani Zogaj, Hafir Bajrami, Haki Prokshi, Hazir Selimaj, Hysen Bujupi, Hysni Kajtazi, Ilir Asllani, Isa Morina, Isa Olluri, Kadri Ademaj, Kadri Gashi, Mentor Ibriqi, Mevlan Hoxha, Muhamet Dervishi, Naser Kelmendi, Qamil Olluri, Ramadan Elshani, Selim Selimi, Sylejman Elshani, Veli Ballazhi, Xheladin Xheladini, Hazir Kryeziu, Qenë Qenaj, Xhevat Thaçi dhe Avni Kutllovci.

Sakrifica e tyre mbetet themel i lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.