Zagreb, 15 dhjetor 2025 – Parlamenti i Kroacisë ka miratuar sot Ligjin për ndërtimin e një qendre për menaxhimin e mbetjeve radioaktive në zonën e Trgovska Gora, pranë kufirit me Bosnjë e Hercegovinën.
Sipas vendimit, qendra do të ndërtohet në lokalitetin Çerkezovac, në komunën e Dvorit, dhe do të shërbejë për depozitimin dhe menaxhimin e mbetjeve radioaktive, përfshirë ato që vijnë nga centrali bërthamor i Krško-s.
Vendimi është marrë pavarësisht kundërshtimeve të vazhdueshme nga autoritetet dhe komunitetet lokale në Bosnjë e Hercegovinë, të cilat kanë shprehur shqetësime serioze për ndikimet e mundshme mjedisore dhe shëndetësore, duke theksuar se lokacioni ndodhet shumë afër kufirit dhe burimeve ujore.
Zyrtarë nga Bosnja e Hercegovina kanë kërkuar që Kroacia të respektojë konventat ndërkombëtare mjedisore dhe të përfshijë palën boshnjake në procesin e vendimmarrjes, duke paralajmëruar edhe hapa të mëtejshëm diplomatikë.
Çështja e ndërtimit të kësaj qendre ka qenë prej vitesh burim tensionesh mes dy vendeve dhe pritet të vazhdojë të ngjallë debate në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.
