Kriza politike thellohet: Kuvendi i Kosovës dështon për herë të 21-të të zgjedhë kryetarin

Para 11 muaj

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur as në përpjekjen e 21-të të konstituojnë Kuvendin, duke e lënë institucionin më të lartë legjislativ të vendit ende pa kryetar.

Seanca e sotme, e udhëhequr nga kryesuesi Avni Dehari i Lëvizjes Vetëvendosje, u ndërpre sërish pasi nuk pati konsensus për mënyrën e votimit të kryetarit të Kuvendit. Dehari këmbënguli që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë, por mungesa e mbështetjes për kandidaten e VV-së, Albulena Haxhiu, bëri që procesi të mbetet i bllokuar.

Zgjedhja e kryeparlamentarit ka qenë pika kyçe që ka penguar funksionalizimin e Kuvendit që nga 15 prilli, kur u mbajt seanca e parë konstituive. Vetëvendosje, edhe pas më shumë se një muaji, nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për ta kaluar kandidaturën e saj.

Seanca do të vazhdojë më 27 maj, në një përpjekje tjetër për të zhbllokuar situatën. Ndërkohë, kriza institucionale po thellohet, duke nxitur shqetësime për pasojat në funksionimin e demokracisë dhe të institucioneve të vendit.