Kriza në Shëndetësi: 37 Mjekë Largohen nga Kosova Vetëm Gjatë Këtij Viti

Para 10 muaj

Mungesë e thellë e anesteziologëve në QKUK dhe qindra mjekë të rinj të papunë – Qeveria pa asnjë hap konkret për zgjidhje

Trendi alarmant i largimit të mjekëve nga Kosova po vazhdon me ritëm të pandalshëm. Vetëm gjatë këtij viti, 37 mjekë kanë marrë certifikatat për të lënë vendin, duke e thelluar edhe më shumë krizën në sistemin shëndetësor.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) po përballet me mungesë serioze të personelit mjekësor, ku më e theksuar është kriza në repartin e anesteziologjisë. Aktualisht, në vend që të ketë rreth 100 anesteziologë, janë vetëm 44 deri në 45, duke vënë në rrezik ofrimin e shërbimeve thelbësore për pacientët.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka deklaruar për Indeksonline se gjendja është edhe më tragjike kur merret parasysh numri i madh i mjekëve të rinj që janë të papunë.

“Janë rreth 400 mjekë të papunë të regjistruar në Oden e Mjekëve, shumica nën moshën 30 vjeç. Njëkohësisht, po mbyllen shumë Qendra të Mjekësisë Familjare në komunat e vogla, pikërisht për shkak të mungesës së mjekëve – ndërkohë që këta të rinj do duhej t’i zëvendësonin ata që po largohen,” tha Sejdiu.

Ai shton se pavarësisht kësaj gjendjeje alarmante, institucionet shtetërore nuk kanë ndërmarrë asnjë masë konkrete për ta frenuar këtë valë të ikjes.

“Qeveria nuk ka marrë asnjë hap konkret për të frenuar ikjen e mjekëve. Përmirësimi i kushteve të punës, rritja e numrit të vendeve të punës dhe përmirësimi i cilësisë së specializimeve janë kërkesat minimale që ne kemi adresuar vazhdimisht,” theksoi ai.

Një tjetër faktor që po i shtyn mjekët drejt largimit është paga e ulët. Aktualisht, paga bruto e një mjeku të ri sillet rreth 850 euro, një shumë që nuk u mjafton për të ndërtuar një jetë të qëndrueshme.

Kriza në sektorin e shëndetësisë pritet të thellohet edhe më shumë nëse nuk merren masa urgjente, ndërsa pacientët – veçanërisht ata në zonat rurale – mbeten viktimat më të drejtpërdrejta të këtij degradimi.