Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda ka konfirmuar se në fshatin Restelicë të Komunës së Dragashit ka ndodhur një rast i vrasjes së rëndë brenda familjes. Sipas të dhënave fillestare të hetimit, i dyshuari F.B. dyshohet se ka privuar nga jeta nënën e tij, T.B., duke ushtruar dhunë fizike në shtëpinë e tyre.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurorja kujdestare, njësitet e Policisë së Kosovës, krimteknika dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, ndërsa trupi i viktimës është dërguar për obduksion. Prokuroria ka bërë të ditur se i dyshuari ka pasur çrregullime mendore dhe ka qenë më herët i përfshirë në tri raste të dhunës në familje, për të cilat kishte aktakuza dhe aktgjykime dënuese. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë duke vazhduar.
