Në dyvjetorin e rënies heroike të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar me një mesazh të fortë për drejtësi, duke kërkuar që autorët e sulmit në Banjskë të sillen para ligjit.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se edhe pse kanë kaluar dy vite nga sulmi i armatosur i 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, në të cilin u vra Bunjaku, drejtësia ende nuk është vendosur.
“Kriminelët e strehuar e të mbajtur të paprekur në Serbi duhet të dorëzohen dhe të përgjigjen përpara ligjit, sepse vetëm kështu nderohet sakrifica e Afrimit dhe sigurohet e ardhmja e Kosovës”, shkroi ai.
“Testament i guximit dhe përkushtimit”
Krasniqi e cilësoi rreshterin Bunjaku si simbol të përkushtimit dhe sakrificës për mbrojtjen e Republikës së Kosovës.
“Afrimi mbetet testament i guximit dhe përkushtimit për mbrojtjen e Republikës së Kosovës. Sakrifica e tij është e gdhendur në historinë tonë kombëtare dhe do të kujtohet përherë si shembull i nderit dhe i besës ndaj atdheut”, thuhet më tej në reagimin e tij.
Në fund të postimit, kreu i PDK-së u shpreh me nderim për të gjithë ata që ranë për lirinë dhe mbrojtjen e Kosovës:
“Lavdi e përjetshme Heroit Afrim Bunjaku! Lavdi të gjithë të rënëve për Kosovën!”
