Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar ndryshime në Rregulloren Zgjedhore që prekin mënyrën e regjistrimit dhe votimit të qytetarëve jashtë Kosovës.
Sipas rregullores së re, regjistrimi i votuesve nga diaspora do të bëhet përmes një fotografie në kohë reale, të bërë përmes platformës së KQZ-së, ku qytetari duhet të mbajë në dorë letërnjoftimin. Ndryshimi synon të shmangë abuzimet me dokumente dhe të rrisë sigurinë e procesit.
Po ashtu, fletëvotimet nuk do të shkarkohen më elektronikisht, por do të dërgohen me postë te çdo qytetar i regjistruar jashtë vendit, bashkë me zarfin kthyes.
Megjithëse këto masa kanë kosto më të lartë, KQZ thekson se ato do të forcojnë integritetin e zgjedhjeve. Rregullorja do të vlejë si për zgjedhjet lokale, ashtu edhe për ato parlamentare në të ardhmen.
Anëtari i KQZ-së nga PDK, Arianit Elshani, tha se këto ndryshime erdhën si përgjigje ndaj dyshimeve të ngritura për manipulime në votimin nga jashtë vendit gjatë zgjedhjeve të fundit.
