Kosova rrezikon humbjen e fondeve nga Plani i Rritjes i BE-së për shkak të vonesave në formimin e institucioneve

Para 6 muaj

Zvarritja e konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të Qeverisë së re po rrezikon që Kosova të mos përfitojë fondet nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor (2024-2027), një paketë prej 6 miliardë eurosh për zhvillimin ekonomik dhe reformat. Nga kjo paketë, Kosova mund të përfitojë mbi 880 milionë euro, por ende nuk ka marrë as parafinancimin prej 61 milionë eurosh, i ndarë tashmë vendeve të tjera të rajonit.

Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e institucioneve funksionale po vonon zbatimin e reformave dhe bllokon marrëveshjen me BE-në, që është kusht për marrjen e fondeve. Në mungesë të përparimit, fondet mund të humbasin ose të rishpërndahen te vendet e tjera të Ballkanit.

Gjendja e bllokuar politike dhe mungesa e qeverisë me mandat të plotë po ndikojnë negativisht edhe në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, duke rrezikuar edhe proceset e integrimit të Kosovës.